top of page

Rreth përdorimit të gabuar të foljeve në lidhore e koushtore

 

         Megjithëse nuk duhen përdorur dy standarde në përdorimin e gjuhës shqipe: një në të shkruar dhe një në të folur, përsëri them se sidomos në të shkruar duhet zbatuar me rigorozitet norma letrare edhe pse në të folur mund të lejohet përdorimi dialektor apo krahinor i të shprehurit sidomos tek moshat e vjetra të cilët e kanë të trashëguar dhe të ngulitur të folurit e krahinës nga vijnë. Por përsëri, disa forma janë krejt të patolerueshme. Me keqardhje paraqes këtu se kam vënë re, madje edhe tek personazhet e sferave të larta të shoqërisë si të politikës apo të medjave dhe të kulturës që manifestojnë dukuri të përdorimit të gabuar të foljeve si në vetën te tretë të kohës së ardhshme në mënyrën dëftore, ashtu edhe në vetën e tretë njëjës të mënyrës lidhore e kushtore, thënë ndryshe: përdorimin e foljeve në vetën e tretë njëjës kur shoqërohen nga pjesëza “të” apo “do të”.

 Forma “do të shkon”,

“do të punon”,

“do të mëson” nuk është aspak e pranueshme si formë gramatikore, por

“do të shkojë”,

“do të punojë”,

“do të mësojë” etj. janë format, jo vetëm të lejueshme, por të pranueshme dhe të patjetërsueshme. Po kështu edhe format e mënyrës lidhore

“të shkon”,

“të punon”,

“të mëson” janë të patolerueshme, prandaj detyrimisht duhet përdorur:

“të shkojë,

“të punojë”,

“të mësojë” etj. që shprehin normën letrare të pranuar për të dy dialektet dhe që besoj se përdoret nga shumica e shqipfolësve e të dy dialekteve, veç një pjese të vogël që e përdorin formën e gabuar që përmenda më sipër. Ndoshta kjo është ngulitur tradicionalisht në ato treva që e mjanifestojnë këtë dukuri, por në shkollat e atyre trevave duhet ngulur këmbë fort dhe besoj se bëhet, që të mësohet dhe ngulitet forma gramatikore letrare mbarëkombëtare.

     Kjo dukuri vërehet më shumë tek banorët e Kosovës dhe nuk mund ta them se mund të jetë ddukuri e përgjithshme e tyre apo e disave prej tyre, ose të një zone të caktuar nga Kosova. Siç e cilësova edhe më sipër, e kam vërejtur të përdorur tek ato përsonalitete të sferave të larta apo ndryshe të ashtuquajtur persona VIP të shoqërisë kosovare. Ndoshta është edhe dukuri e përgjithshme, por nuk dua ta besoj një gjë të tillë dhe as faktin, e theksoj: sidomos as faktin që nëpër shkolla nuk i mëshohet me forcë ngulitjes së normës letrare mbarkombëtare të formës së rregullt gramatikore të folur tradicionalisht e të pranuar ligjërisht në mënyrë akademike nga gjuhëtarë dhe personalitete të shkences e kulturës mbarkombëtare.

     E pranoj se përdorimi dialektor i shqipes sot është bërë tendencë, dhe e mirëkuptoj, pasi më shumë se gjysma e kombit, për të mos thënë dy të tretat e kombit jeton në trevat e gegnishtës së folur, por kjo nuk do të thotë se format e gabuara të paraqitura më lart i përkasin mbar dialektit të gegnishtes. Këto dukuri nuk ndodhin as në Tiranë, as në Durrës dhe as në kryeqendren e gegnishtes së bukur në Shkodren e artit, të kulturës dhe të letrave të shkruara që në hershmëri.

     Me shumë dashamirësi u bëj thirrje mësuesve të atyre trevave që e manifestojnë këtë dukuri në devijim nga normativa e gjuhës sonë, të ngulin këmbë me forcë dhe t’ua ngulisin me dashuri brezave që ata mësojnë dhe edukojnë se ata do t’u jenë përjetësisht mirënjohës për dijet me të cilat ju i ushqeni.

 Rreth përdorimit të gabuar të disa foljeve të parregullta

    Në gjuhën shqipe, ashtu si edhe në mjaft gjuhë të botës ka disa folje(verb) që gjatë përdorimit në fjali, në pozicione të ndryshme, e ndryshojnë formën (rrënjën) e tyre. Këto folje(verbs) janë quajtur folje të parregullta(iregular verbs). Le t’i shohim disa:

jap, bie, ha, kam, jam, rri, shoh, vij, dua, them etj. që në kohën e tashme dalin në formën që i paraqita dhe e ndryshojnë formën në kohët e tjera të foljes. Le të shohim ndryshimet:

jap(koha e tashme) – dhashë (koha e kryer e thjeshtë) –dhënë (pjesorja),

bie(koha e tashme) –rashë(koha e kryer e thjeshtë) –rënë(pjesorja),

bie (koha e tashme) –prura (koha e kryer e thjeshtë) –prurë (pjesorja),

ha (koha e tashme) –hëngra(e kryera e thjeshtë) –ngrënë (pjesorja),

jam –isha(e pakryer) –qeshë(e kryera e thjeshtë) –qenë (pjesorja),

kam(e tashmja) –kisha(e pakryera) –pata(e kr. e thjeshtë) –pasur (pjesorja),

rri (e tashmja) –ndenja (e kr. e thjeshtë) –ndenjur(pjesorja),

shoh (e tashmja) –pashë (e kr. e thjeshtë) –parë(pjesorja),

vij(e tashmja) –erdha (e kr. e thjeshtë) –ardhur(pjesorja),

them (e tashmja) –thashë (e kr. e thjeshtë) –thënë (pjesorja).

Tashti le të shohim disa dukuri të përdorimit të gabuar të disa prej tyre.

      Folja e parregullt “jap” në përdorimin normativ të saj prdoret natyrshëm në format e paraqitura më sipër, por ka raste të shtrembërimit të atyre formave deri në foshnjerizim të tyre. Është e natyrshme që të thuhet:

“Unë dhashë ndihmesën time modeste në përmirësimin e mjedisit ku jetojmë.”,por është mjaft e gabuar foshnjore të thuhet:

“Unë japa ndihmesën time modeste në përmirësimin e mjedisit ku jetojmë.”.

Gjithashtu, e gabuar është edhe përdorimi i pjesores “japur”

“Kam japur ndihmë…”. apo edhe në formë:

jepa, jepur

Padyshim, të gabuara janë edhe format “nap”, apo “ap” për jap.

Në kohën e tashme në vetën e dytë njejës e shumës si dhe në vetën e tretë njëjës zanorja “a” ndryshohet në “e”, por kurrë në “i” siç ndokush e përdor në mënyrë të gabuar. Pra:

unë jap,

ti jep,

ai(ajo) jep’

ne japim,

ju jepni,

ata(ato) japin.

Pra, ju jepni e jo ju jipni. Po kështu edhe e pakryera që bën:

unë jepja(jo jipja),

ti jepje(jo jipje),

ai jepte(jo jipte),

ne jepnim(jo jipnim),

ju jepnit(jo jipnit)

ata jepnin(jo jipnin) apo edhe format e pësores (jipem, jipesh, jipet) që, gjithashtu janë të gabuara.

     Folja e parregullt “them” bën në të pakryerën

“unë thosha”,

“ti thoshe”, por jo

“unë thoja” dhe as “unë thoshja”, jo “ti thoje” e as “ti thoshje”. Aq më tepër në kohën e kryer të thjeshtë

“unë thana”, “ti thane” dhe as “unë kam thanur”, por

“unë kam thënë” që është norma e ngulitur e gjuhës letrare shqipe.

    Folja “kam” që është njëkohësisht edhe folje ndihmëse në formimin e kohëve të përbëra të foljes(e kryera, e kryera e tejshkuar, e kryera e plotë si dhe e ardhshmja e përparme) ashtu si edhe folja “jam”, në pjesoren, në paskajore dhe në përcjellore del në formën “pasur” dhe jo në “patur” që shpeshherë gabohet duke u përdorur. Krijohet konfuzion nganjëherë nën ndikimin e përdorimit të kësaj foljeje në kohën e kryer të thjeshtë që del në format:

“unë pata”,

“ti pate”,

“ai pati” dhe kurrë :

“unë pasa”,

“ti pase”,

“ai pasi” gjë që s’e besoj se ndodh gjëkundi në të folur në asnjë vend ku flitet gjuha shqipe. Megjithatë, në pjesore, paskajore dhe përcjellore, bashkëtingëllorja “t” e kohës së kryer të thjeshtë këmbehet e shndërrohet në “s”.

       Një dukuri e gabuar vihet re aty-këtu edhe tek folja ha sidomos në vetën e parë njëjës të kohës së tashme të mënyrës dëftore. Duket si paradoks përdorimi i gabuar në gojën e një përsoni publik me një shkollë dhe kulturë gjuhësore të admirueshme, por ja që, në një intervistë televizive në një nga televizionet më prestigjoze shqiptare, një personalitet i artit dhe i kulturës, mjaft i njohur, deklaron se ka mbaruar universitetin në fakultetin gjuhë-letërsi, por kur gazetarja e pyet së cilat janë ushqimet që parapëlqen thotë:

“Unë haj çdo ushqim me prejardhje bimore….” dhe foljen ha e përsërit shpesh në vetën e parë në formën haj. Siç shihet kjo formë është thënë në formën e foljeve kalimtare që mbarojnë me bashkëtingëllorën “j” si:

mësoj, këndoj, lexoj, shkruaj, lyej, thyej, shaj, thaj, laj, etj.

Po, këto folje në vetën e parë të kohës së tashme dalin me “j”, por jo folja “ha” që mbaron me temë në zanore si foljet e rregullta pi, di. Kjo folje, kur zgjedhohet(përdoret) në të tri vetat e njëjsit bën:

unë ha;

ti ha;

ai ha dhe jo:

unë haj;

ti han;

ai(ajo) han ashtu siç nuk përdoren foljet pi, di në formën:

pij, dij;

pin, din;. Po kështu edhe në tri vetat e shumësit:

ne hamë dhe jo hajmë;

ju hani,

ata hanë dhe jo hajnë.

       Një drejtim i gabuar i kësaj foljeje vjen edhe në të kryerën e thjeshtë. Kjo folje si të gjitha foljet e tjera të parregullta në gjuhën shqipe nga e tashmja në të kryerën e thjeshtë si dhe në pjesore e ndryshojnë rrënjën e fjalës, edhe kjo bën:

ha-hëngra-ngrënë.

Por ka mjaft raste kur dikush thotë:

Unë sot ngrëna një drekë të shijshme në një restaurant të qytetit.

Folja ha është përdorur në kohën e kryer të thjeshtë, por gabimisht është përdorur pjesorja e formësuar si e kryera e thjeshtë. Forma e rregullt duhej të ishte:

Hengra dhe jo ngrëna, ashtu siç nuk duhet përdorur forma:

Kam hëngër(hangër) një drekë të shijshme në restaurant, por duhet thënë:

kam ngrënë.

      Krejt foshnjore dhe mjaft e papranueshme, aq edhe bajate është edhe përdorimi i gabuar i foljes shoh që në kohën e tashme bën:

unë shoh;

ti sheh;

ai(ajo) sheh;

ne shohim;

ju shihni;

ata(ato) shohin,

por në kohën e kryerë të thjeshtë bën:

unë pashë dhe jo pava; 

ti pe dhe jo pave;

ai pa dhe jo pau.

Por unë këtu nuk e kam fjalën tek këto raste të gabuara, megjithëse edhe këto raste janë të papranueshme, por tek një gabim mjaft foshnjor në përdorimin e kësaj folje në të kryerën e thjeshtë si:

unë shoha;

ti shohe.

Është mjaft bajate të thuash:

Mbrëmë unë shoha një film të bukur. Forma e rregullt është:

Mrëmë pashë një film të bukur.

Gjithashtu e gabuar është edhe po të thuhet:

Mbrëmë pava një film të bukur.

Advertisements

Tag Cloud
What I'm Reading
Favorite Book of 2023 So Far

© 2023 by The Book Lover. Proudly created with Wix.com

  • Grey Facebook Icon
  • Grey Twitter Icon
  • Grey Google+ Icon
bottom of page